Stefanoviq: Çështja e veriut të zgjidhet për ta ruajtur paqen
Beograd, 25 mars - Udhëheqësi i ekipit negociator serb në bisedimet Serbi-Prishtinë, Boris Stefanoviç ka deklaruar se çështja e veriut të Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrë që të ruajë paqen dhe stabilitetin.
Stefanoviç ka deklaruar se ekipi negociator serb nuk është dërguar në Bruksel për t`i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës dhe as që ta njohë pavarësinë e saj, por për të trajtuar çështjet konkrete.
Njëra prej çështjeve është veriu i Kosovës dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në atë mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti, ka thënë Stefanoviç, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos reagojnë ndaj provokimeve dhe manipulimeve, si dhe të kujdesen për veten dhe pronat e tyre.
Fakti se qytetarët serbë kanë arritur të qëndrojnë në Kosovë me gjithë vështirësitë dhe dëbimet, është garanci se Republika e Serbisë është e pranishme në Kosovë dhe se Kosova është pjesë e shtetit të Serbisë, ka thënë Stefanoviç.
Ai ka paralajmëruar se dialogu me Prishtinën do të vazhdojë në fund të marsit, duke shtuar se opinioni dhe qëndrimi i serbëve të Kosovës do të prezantohet tani për tani nga ekipi negociator, mirëpo kjo nuk e përjashton mundësinë që një ditë ata të jenë personalisht të pranishëm në takimet në Bruksel.