S.SH dhe N.B akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Prizren, 23 dhjetor - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.Sh., dhe N.B., në cilësi të personave zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të akuzuarit S.Sh., dhe N.B., si persona zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare e pastaj i tejkalojnë autorizimet zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit, në atë mënyrë që i akuzuari S.Sh., - në cilësi të menaxherit të K.R.M.“Eko-regjioni” në Prizren–Njësia në Dragash, me datë 27.08.2019, i bënë kërkesë të akuzuarit N.B., - në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv të K.R.M.“Eko-regjioni” në Prizren, që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyerja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan”në Dragash, të cilën kërkesë ky i fundit e miraton me datë 28.08.2021, me ç’rast kompanisë K.R.M. “Eko-regjioni” në Prizren, i shkakton dëm material prej 2.700 Euro.
Në këtë mënyrë në bashkëkryerje S.Sh., dhe N.B., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Po ashtu, i akuzuari N.B., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të Kryeshefit Ekzekutiv të K.R.M. “Eko-Regjioni” në Prizren, i tejkalon kompetencat me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për tjetrin apo t’ua shkel të drejtat personave tjerë, në atë mënyrë që në periudhën kohore nga data 01.01.2019 e deri me 01.08.2020, në kundërshtim me Ligjin e Punës, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të caktuar, për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike, me personat A.M., Gj.K., Z.K., Y.P., M.G., dhe L.K.,
duke kryer në këtë mënyrë veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”sipas KPRK- së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.