16 Janar 2025

Specialja nuk e minimizon rolin e EULEX-it

Prishtinë, 22 gusht - Njohës të çështjeve juridike dhe politike kanë vlerësuar se formimi i Gjykatës Speciale nuk do ta minimizojë rolin e EULEX-it deri në përfundim të mandatit të këtij misioni.

Sipas tyre këto dy struktura nuk do të interferojnë në punën e njëra tjetrës për gjatë kohës sa Specialja dhe EULEX-i do të merren me çështjet e krimeve të luftës.

Ligjëruesi i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorrolli, ka thënë se këto struktura do të veprojnë si të pavarura nga njëra tjetra.

“Gjykata Speciale me gjasë do të fillojë të operojë pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, kurse EULEX-i do të ketë mandat deri më 15 qershor të vitit 2016. Këto dy struktura nuk do të interferojnë në njëra-tjetrën dhe nuk do ta minimizojnë rolin e njëra- tjetrës. Lëndët të cilat janë në shqyrtim të misionit të EULEX-it për krime të luftës gjyqtarët dhe prokurorët e këtij misioni do të vazhdojnë ta kenë të njëjtin mandat.\"

\"Për shembull, gjyqtarët që do të emërohen për Gjykatën Speciale nuk do të kenë mundësi të operojnë edhe në EULEX. Pra, do të jenë organizma të ndarë, dy misione të ndara për muajt e mbetur”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka treguar edhe arsyen pse Gjykata Speciale nuk do të përzihet me misionet ndërkombëtare që kanë vepruar pas luftës në Kosovë. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të dështimit të këtyre misioneve në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit.

“Gjykata Speciale do të funksionojë jashtë ombrellës së EULEX-it për shkak të dështimit sistematik të çdo misioni ndërkombëtar që ka pasur të bëjë me fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit.\"

\"Mandati i EULEX-it do të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm, por ky nuk do të jetë përfundimi i tërë këtij misioni. Me gjasë EULEX-i do të ridizajnohet apo riformatizohet dhe do të funksionojë me një emër tjetër, i cili mbetet për t’u diskutuar mes Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Mogerinit”, ka thënë Qorrolli, duke shtuar se EUELX-i do ta vazhdojë punën, por në një format dhe me emër tjetër.

 “Ky mision ndoshta nuk do të ketë më gjyqtarë. Besoj se EULEX-i tashmë e ka kryer mandatin e vet, suksesshëm ose jo, ky është një diskutim tjetër. Sigurisht se ky mision ka pasur 7 ose 8 dështime, po i ka pasur edhe dy suksese që nuk do të mund t’i kishte sistemi i drejtësisë vendore”, ka thënë Qorroli.

As drejtori i Organizatës FOL, Petrit Zogaj, nuk pret të ketë interferime mes EULEX-it dhe Gjykatës Speciale gjatë kohës sa të dyja këto struktura do të jenë funksionale.

“Nuk besoj se do të kemi interferime mes këtyre dy strukturave, sepse njëra është në shërbim të tjetrës. Pra, EULEX-i është në shërbim të Gjykatës Speciale dhe këtu nuk shoh se do të ketë ndonjë problem. Pra, EULEX-i do të jetë në funksion të Gjykatës Speciale dhe nuk do të jetë kundërshtar i saj”, është shprehur Zogaj.

Ai ka treguar se në përfundim të mandatit të EULEX-it nuk pritet që ky mision të ketë ndonjë rol të madh gjatë kohës kur do të funksionalizohet Gjykata Speciale.

Në fillim të këtij muaji Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim ka miratuar ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. Më pas ka miratuar edhe Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kurse misioni i EULEX-it, i cili po ashtu ka kompetencë të plotë në ndjekjen e krimeve të luftës, pritet ta mbyllë mandatin në qershor të vitit 2016.

 /Epoka e Re/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)