Sparkes zëvendës Shef i EULEX-it
Sparkes, i cili do ta pasojë Roy Reeve, do ta marrë detyrën e tij në mes të muajit tetor 2010. Emërimi i tij është për një vit me mundësi të vazhdimit.
Me këtë rast, Shefi i Misionit EULEX, Yves de Kermabon, deklaroi se Andy Sparkes e posedon përvojën e nevojshme për të shërbyer si zëvendës shef i një operacioni të madh të sundimit të ligjit në një mjedis të vështirë.
Përvoja e tij si Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë prej datës 28 prill 2008 i siguron atij njohuri të dorës së parë lidhur me gjendjen në terren dhe menaxhimin pas konfliktit, që është një përgatitje shumë e përshtatshme për të shërbyer si Zëvendës Shef i EULEX-it. Kjo është koha kur EULEX-i do të përballet me sfida të konsiderueshme duke vazhduar përmbushjen e thelbit të mandatit të tij në tërë Kosovën. Ai do ta ketë përkrahjen time të plotë në përmbushjen e detyrave të tij , tha Kermabon.
Andy Sparkes, i emëruar zëvendës Shef i Misionit EULEX në Kosovë. Ka lindur me korrik 1959 dhe është shtetas i Britanisë.
Arsimimin e ka superior si: Diplomë Nderi të Klasës së Parë në Literaturën Angleze, Trinity Hall, Cambridge.
Andy Sparkes u caktua Ambasador i Britanisë në Kosovë më 28 prill 2008. Detyrat e mëparshme të tij me Ministrinë e Jashtme (Foreign Office) përfshijnë: Ambasador i Madhërisë së Saj në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Republikën e Kongos (2004-2007), Zëvendës Komisionar i Lartë në Afrikën e Jugut (2001-2004) dhe Zëvendës Ambasador në Republikën e Indonezisë (1999-2001). Më herët gjatë karrierës së tij ka qenë i postuar edhe në Turqi dhe Tailandë.
Pozitat e larta të tij në Londër përfshijnë: Ndihmës Drejtor për Burimet Njerëzore dhe Drejtor i shërbimeve të eksportit në agjencinë e Mbretërisë së Bashkuar për Promovimin e Tregtisë dhe Investimeve.
Andy Sparkes është nderuar me titullin CMG (Bartës i medaljes së Rendit të Shën Michael dhe Shën George), për punën e tij në Republikën Demokratike të Kongos gjatë tranzicionit të saj nga lufta civile drejt zgjedhjeve demokratike të mbajtura në vitin 2006.
Po ashtu, ai e ka fituar kualifikimin profesional MCIPD (Anëtar i Institutit të Autorizuar për Personel dhe Zhvillim).