Sot shënohet 10-vjetori i “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”
Prishtinë, 21 tetor - Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe në mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe UN WOMEN-it, do të organizohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.
Këtë vit shënohet 10-vjetori i “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me ç‘rast do të organizohet konferencë ndërkombëtare me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”.
Në një mesazh për nder të 10-vjetorit të ” Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimi“, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se vlerëson që në ballë të kësaj Jave nëpër vite prokuroria ka vënë në prioritet të drejtat e viktimave, por edhe një paralajmërim serioz për shkelësit e të drejtave të viktimave të krimit, sepse këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe, si të tilla, duhet mbrojtur me çdo kusht nga institucionet shtetërore.
"Angazhimi im si Kryeprokuror i Shtetit dhe i të gjithë mekanizmave relevantë nuk do të mungojë që rastet e viktimave të krimit të trajtohen drejt gjatë gjithë procedurave, ndërsa kryerësit të marrin dënimet meritore", ka deklaruar Lumezi.