Sot protestohet për vdekjen e Gecajt në burgun e Zvicrës
Prishtinë, 30 nëntor - Sot në Prishtinë do të organizohet protesta për ndriçimin e vrasjes së Dedë Gecaj, i cili u gjet i vrarë në burgun e St. Gallenit në Zvicër.
Familja Gecaj nga Gjakova i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të solidarizohen me protestën e tyre, që nesër do të filloj në mesditë para ambasadës Zvicerane dhe më pas pranë Parlamentit të Kosovës dhe zyrës së misionit të EULEX.
Dedë Gecaj rezultoi i vdekur më 19 nëntor të këtij viti në burgun e St.Gallenit, disa ditë para se të fillonte procesi gjyqësor ndaj tij, për shkak se autoritetet zvicerane e akuzonin ate për shkak të vrasjes së mësuesit zviceran, i cili kishte dhunuar dhjetë vite më parë vajzën e tij.
Kërkojmë zbardhjen e rastit të vrasjes dhe të dihet fati i zhdukjes së vajzës sonë Besarta Gecaj, tash e dhjetë vite. Jemi të bindur se kjo tragjedi do të gjejë përgjigje të shpejtë nga autoritetet zvicerane dhe ato të Kosovës, theksohet në njoftim.
Dedë Gecaj, një emigrant nga Kosova që po jetonte në Zvicër në vitin 1999 ishte njoftuar nga vajza e tij Besarta Gecaj, atëkohë 14 vjeçe, për abuzimin nga mësuesi i saj.
Me të njohur me rastin, babai ka takuar në shkollë mësuesin Paul Shpirig, të cilin siç kishte dëshmuar më parë e kishte vrarë në vetëmbrojtje dhe pa vetëdije.
Gecaj ishte arrestuar nga autoritetet serbe dhe për shkak të fletëarrestit zviceran, disa vite më parë vuajti dënimin prej katër viteve në burgun e Krushevcit, me ç`rast më pas u la i lirë për në Kosovë.
Por, autoritetet zvicerane një vit më parë kërkuan sërish arrestimin dhe ekstradimin e tij dhe Ded Gecaj u arrestua dy muaj më parë nga autoritetet e Kosovës dhe menjëherë u ekstradua në Zvicër.