Sot pritet vendimi për të dyshuarit si terroristë
Prishtinë, 14 gusht - Gjyqtari i Gjykatës Themelore Vehbi Kashtanjeva, as ditën e djeshme nuk ka mundur të caktojë masën e paraburgimit për 40 të arrestuarit për terrorizëm, dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë sot.
Prokurori special Blerim Isufaj, ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për të gjithë të arrestuarit. Ndërsa, sipas Besnik Berishës, avokati i Hadi Nurës, njërit prej të arrestuarve, prokurori nuk ka ofruar ndonjë provë se të dyshuarit kanë kryer veprat e përmendura penale.
\"Nuk është provuar me asnjë provë se të arrestuarit i kanë kryer veprat të cilat përshkruhen në aktvendim dhe në kërkesë të prokurorit. Në 22 faqe për fillimin e hetimeve janë vetëm shtatë faqe. Deri të martën askush nuk ka sjellë asnjë provë, të paktën as nuk është përshkruar lista e provave që prokuroria posedon\", ka thënë Berisha.
40 të arrestuarit janë ënde në arrest, pasi të martën ata u morën në pyetje, por gjykata ka vazhduar vetëm me masën e arrestit.
Përveç këtyre, policia po kërkon edhe 17 persona të tjerë që janë arratisur.