Sot para Gjykatës Speciale mbahet paraqitja e parë e Kadri Veselit
Hagë, 10 nëntor - Sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Kadri Veselit, ish kryetar i Partisë Demokratike te Kosovës.
Aktakuza kundër Kadri Veselit u konfirmua më 26 tetor ku edhe u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor për tu transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.
Paraqitja e parë e Kadri Veselit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.
Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.
Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.
Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak.