Sot nis revitalizimi i Urës së Mitrovicës dhe hapësirës përreth
Mitrovicë, 17 tetor - Revitalizimi i urës së Mitrovicës dhe hapësirës përreth saj do të nisë sot pasdite, ashtu siç është paralajmëruar.
Kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore.
Gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakic për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të treguar gjatë ditëve të kaluara.
Diskutimet për Memorandumin e Mirëkuptimit për Planet Zhvillimore Komunale, Hartën Komunale të Zonave dhe Planin e detajuar Rregullativ po vazhdojnë.
Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë procesit për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Ajo po ashtu do ta informojë publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.
Revitalizimi i urës së Mitrovicës është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit.