Sot mbahet seanca përmbyllëse kundër Ramush Haradinaj
Hagë, 25 qershor - Gjykata e Hagës do të nisë sërish procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.
Seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mbahen sot dhe nesër.
Haradinaj është kthyer në Tribunalin Ndërkombëtar për krime lufte në ish Jugosllavi, më shumë se një muaj, pasi që Tribunali vendosi ta lirojë përkohësisht atë.
Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në hagë, janë përfshirë edhe dy bashkëluftëtarët e zotit Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.
Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Tribunali vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010.
Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.