Sot mbahet rigjykimi për vrasjen e vëllezërve Bytyçi
Beograd, 23 shtator - Në Gjykatën e lartë për krime lufte në Beograd sot pritet të fillojë rigjykimi i procesit gjyqësor kundër dy policëve serb të akuzuar për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi në vitin 1999 në Serbi.
Gjykata e Apelit e Serbisë në nëntor të vitit 2010 kishte pranuar ankesën e prokurorisë për krime lufte dhe kishte anuluar vendimin e shkallës së pare, me të cilin dy policët vrasës ishin lënë të lirë.
Ata ngarkohen për kryerjen e krimeve të luftës kundër tre vëllezërve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi me shtetësi amerikane, të cilët kishin mbërritur në Kosovë në korrik të vitit 1999 për të vizituar nënën e tyre, por që më pas kanë rënë në duart e policëve serb në kufirin Merdare.
Tre vëllezërit u arrestuan më 8 korrik 1999 pasi që ishin lënë të lirë nga burgu i Prokupljes, pas arrestimit dhe dënimit për shkak të hyrjes ilegale në Serbi. Sipas akuzës, polici Popoviç kishte urdhërua Stojanoviçin që ti arrestojë vëllezërit Bytyçi, edhe pse ishin lënë të lirë.
Tre vëllezërit ishin vendosur në qendrën e edukimit të Ministrisë së brendshme serbe në Petrovo Selo, që më pas ditën e nesërme i janë dorëzuar pjesëtarëve të panjohur të policisë sekrete serbe.
Më pas u vërtetua se vëllezërit Bytyçi ishin vrarë me nga një plumb në qafë, ndërsa në vitin 2001, trupat e pajetë u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo.
Vëllezërit Bytyqi ishin pjestarë të UÇK-së, të cilët ishin arrestuar në korrik të vitit 1999 duke kaluar kufirin e ish-Jugosllavisë.
Pas lirimit të të akuzuarve për ekzekutimin e tre shtetasve amerikanë , ambasada e SHBA në Beograd ka shprehur shqetësimin dhe ka kërkuar që vrasësit e vëllezërve Bytyçi të marrin dënimin e merituar.