Sot mbahen protesta për Kumanovën
Protesta organziohet për të kërkuar urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar e që po torturohen nga regjimi sllavo maqedonas dhe servilet shqiptarë në institucione.
Protestuesit po ashtu do të kërkojnë urgjentisht që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprimet konkrete në identifikimin dhe sjelljen e trupave që ranë dëshmorë për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në Maqedoni.
"Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj institucioneve tona, të cilat për më shumë se një javë qëndrojnë indiferent ndaj qytetarëve të vet, të cilët vriten, rrahën, e torturohen nga regjimi policor e diktatorial i Maqedonisë."
"Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj deklarimeve të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, që i quan terrorist ish luftëtarët e lirisë. Ata djem nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, Luginë të Preshevës e Maqedoni", theksohet në njoftimin e familjarëve.
Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përkrahin protestën e organizuar nga familjarët e ish-luftëtarëve të UÇK-së që morën pjesë në luftimet e Lagjes së Trimave në Kumanovë dhe u bënë thirrje veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve që të marrin pjesë në të.
Kjo protestë organizohet, për shkak se familjarët e luftëtarëve që u janë publikuar emrat në listën e të vrarëve nuk kanë informacion zyrtar, si dhe për shkak të keqtrajtimit të atyre luftëtarëve që gjenden në burgjet e Maqedonisë, thuhet në komunikatën e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.
Me anë të një komunikatë, protestën e përkrahu edhe Grupi i Pavarur Studentor, organizatë kjo e cila kohë më parë organizoi në sheshin e Prishtinës ndezjen e qirinjve për të rënët në luftimet në Kumanovë.
Ne si Grup i Pavarur Studentor shprehim përkrahjen e fuqishme për familjarët e viktimave që ndodhën në Kumanovë dhe njëherëësh për familjarët e të arrestuarve dhe shprehim brengen tonë në lidhje me mënyrën e trajtimit që po u bëhet të arrestuarve, thuhet në komunikatën e GPS, në të cilën njëkohësisht, kërkohet nga Qeveria një transparencë më e madhe dhe një kujdes më i madh për bashkëkombësit në Maqedoni.
Protesta mbahet sot përpara objektit të Qeverisë, te teatri Kombëtar.