Sot diplomoi gjenerata e 44-të e Policisë së Kosovës
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, duke iu uruar të sapodiplomuarve suksese në punë, tha se Policia e Kosovës është e obliguar të garantoj rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës në gjithë territorin e saj.
Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me zhvillimin e politikave strategjike në përkrahje të Policisë së Kosovës, duke rekrutuar pjesëtarë të rijnë, në mënyrë që policia jonë të jetë më e re në moshë, tha Zeka.
Zëvendësministri Zeka vlerësoi se puna e policisë është një ndër punët më sfiduese dhe të rrezikshme, por Policia e Kosovës është argumenti më i mirë se këto sakrifica dhe mundime shpaguhen me të arritura të mëdha dhe përkrahje nga qytetarët e Kosovës.
Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha polica është mbrojtëse e të drejtave individuale dhe publike, respektues të rëndit dhe ligjit në gjithë Republikën e Kosovës. Policia e Kosovës duhet të jetë çdo herë shembull i realizimit të objektivave, misionit dhe vizionit të saj
Sundimi i rendit dhe ligjit sot është parakusht esencial në të gjitha aspektet e shoqërisë, garantues të së cilës nga sot do të jeni edhe ju të nderuar polic të rinj. Edukimi dhe aftësimi juaj me standardet më të larta profesionale në fushën e zbatimit të ligjit do të jetë një ndihmesë e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por edhe për perspektiven e vendit, tha Maxhuni.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, theksoi se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është qendër më e fortë e të gjitha llojeve të trajnimeve më bashkëkohorë për të gjitha agjencionet e Sigurisë Publike që janë të zbatimit të ligjit.
Ngritja e cilësisë së trajnimeve dhe arsimimi i lartë është prioritet absolut i Akademisë dhe partnerëve të saj, ICITAP-it dhe OSBE-së dhe së fundmi i Komisionit Evropian. Qytetarët me padurim presin inkuadrimin tuaj në Policinë e Kosovës. Meritoni pritjet e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy , u theksoi Smakiqi.