Smakiqi në konferencën e Asociacionit të Kolegjeve Policore Evropiane
Prishtinë, 20 janar - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, i shoqëruar nga drejtori i Trajnimeve dhe Përkrahjes Programore, Dukagjin Dinaj, kanë marrë pjesë në konferencën rajonale të Asociacionit të Kolegjeve Policore Evropiane (AEPC), të mbajtur në Shqipëri.
Qëllimi i konferencës ka qenë diskutimi për përgatitjen e zgjedhjes së presidentit të ri të AEPC-ut, përgatitja e bordit drejtues për takimin e radhës që do të mbahet në shkurt të këtij viti, në Solna të Suedisë, bashkëpunimi me DCAF, CEPOL dhe MEPA.
Po ashtu, gjatë kësaj konference janë prezantuar programe mbi trajnimet për pjesëtarët e sigurisë publike në vend.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, tha se konferencat e tilla kanë ndikim të madh në avancimin e komunikimit, bashkëpunimit, shkëmbimit dhe koordinimit të përvojave mes shteteve anëtare të këtij asociacioni.
Në konferencën rajonale, përveç Shqipërisë e cila ka qenë nikoqire, pjesëmarrës kanë qenë edhe Kosova, Suedia, Sllovakia, Rumania, Gjermania dhe Norvegjia. Asociacioni i Kolegjeve Policore të Evropës ka 45 shtete anëtare.