Skoci, 3 shqiptarë hidhen nga pallati, iu refuzohet azili
Skoci, 8 mars - Tre shqiptarë dyshohet se kanë vdekur në Skoci, pasi janë hedhur nga pallati për shkak të refuzimit të kërkesës për azil. Lajmi është publikuar nga gazeta The Guardian në edicionin e saj online, duke theksuar se viktimat janë dy meshkuj dhe një femër.
Sipas gazetës, ata ishin lidhur me njëri-tjetrin, duke u hedhur së bashku nga kati i 15-të i një ndërtese në qytetin e Gllasgout mbrëmjen e së shtunës.
Trupat e viktimave janë gjetur mëngjesin e së dielës në një kompleks ndërtesash. Ende nuk dihet identiteti i viktimave, dhe lajmi nuk është publikuar zyrtarisht nga autoritetet. Megjithatë, The Guardian citon një dëshmitare, e cila jetonte në një banesë përballë viktimave.
Sipas saj, pasi kam hapur perdet e dritareve, pashë trupat e tyre të shtrirë në tokë. Menjëherë i telefonova policisë, vijon ajo. Dyshohet se tre personat kanë bërë një pak së bashku për të kryer një vrasje kolektive. Pa dyshim këto janë ngjarje tejet të rënda që ndodhin në radhët e emigrantëve shqiptarë.
Tre persona që dje kanë bërë vetëvrasje në Skoci, nuk janë kosovarë. Këtë e konfirmoi ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti. Ai tha se autoritetet britanike, kanë konfirmuar se tre personat nuk janë kosovarë, duke demantuar kështu lajmin që është dhënë në disa media.
Autoritete zyrtare britanike e konfirmojnë zyrtarisht se njerëzit, për të cilët është dyshuar se ishin shtetas të Kosovës dhe kishin bërë vetëvrasje dje, nuk janë shtetas të Kosovës. Do të thotë sa i përket këtij elementi lajmi është i pasaktë. Ne nuk e dimë se shtetas të kujt janë ata persona, fundja autoritetet britanike nuk e kanë për obligim që ambasadën e Kosovës të njoftojnë për shtetësinë apo edhe motivet e vetëvrasjes së vendeve të tjera. Ambasada e Kosovës është përpjekur që nga momenti i parë që të marrë vesh apo edhe të konstatojë vërtetësinë e lajmit, sepse ishte shqetësuese kur në lajme doli se ata persona ishin shtetas të Kosovës. Por, tani jemi të lumtur të njoftojmë se nuk bëhet fjalë për shtetas të Kosovës, tha Hamiti.