Sjellja e infermieres ndaj të moshuares, çnjerëzore dhe kriminale
Prishtinë, 2 nëntor - Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku, së paku një infermiere sillet në mënyrë çnjerëzore ndaj një të moshuare, ndryshe rezidente në Shtëpinë e Pleqve "Orenda" në Pejë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) konsideron se sjellja e infermieres është në kundërshtim të plotë me detyrimet profesionale, është degradim i personit që për shërbimet e infermieres paguan çdo muaj dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, në përgjithësi dhe të drejtat e njeriut të personave të margjinalizuar, në veçanti.
Për KMDLNj është e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me moralin profesional dhe personal sjellja e stafit që e shoqëronin infermieren në këtë trajtim të dhunshëm dhe të dënueshëm që ia bënin të moshuares e cila ishte e pafuqishme të mbrohej nga sjelljet e dhunshme të infermieres.
Mungesa e monitorimit në baza të rregullta të vendeve ku vendosen të moshuarit ka krijuar komoditet te stafi andaj, të përjashtuar nga çdo përgjegjësi edhe sillen aq dhunshëm dhe aq jonjerëzishëm.
KMDLNj përshëndet reagimin e shpejtë dhe efikas të organeve të ndjekjes duke shpresuar për një hetim të shpejtë dhe profesional, pas së cilave do të caktohej përgjegjësia eventuale, gjithnjë duke u nbështetur në prova.
KMDLNj ftonë institucionet përgjegjëse që të monitorojnë institucionet pranuese për të moshuar dhe me nevoja të veçanta në mënyrë që të eliminohen këto raste. Edhe gjatë licencimit duhet të tregohet kujdes se kush do të pajiset me leje pune.
KMDLNj e gjykon këtë rast si shkelje e të drejtave të njeriut dhe shkelje e etikes profesionale.