Situatë e qetë në Mitrovicë gjatë dy javëve të fundit
Mitrovicë, 8 korrik - Komitetit lokal për siguri publike ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të strukturave të sigurisë gjatë takimit të sotëm vlerësoi se situata e sigurisë në veri gjatë dy javëve të fundit ka qenë e qetë dhe pa ndonjë incident serioz.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në dy javët e fundit nuk është shënuar ndonjë incident që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme.
Nuk ka pasur ndonjë rast serioz të cenimit të sigurisë, përderisa një protestë e një grupi punëtorësh serbë të Odës ekonomike afër Rudarit me 4 korrik ka kalu e qetë.
Ndërsa, kryetari i komunës, Avni Kastrati, u fokusua në nevojën e koordinimit të veprimeve për largimin e barrikadës mbi urën e Ibrit.
Duke pasur parasysh se po afrohet koha për largimin e barrikadës që ka mbetur mbi urën e Ibrit, duhet që bashkërisht me strukturat e sigurisë të koordinohemi në mënyrë që gjithçka të shkoj mirë dhe pa probleme.
Në këtë takim, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka folur edhe për themelimin e Kuvendit të Komunave në veri nga përfaqësuesit e strukturave paralele serbe. Ai tha se një organizëm i tillë është ilegal dhe i papranueshëm.