Situata në veri, vazhdon provokimi nga strukturat ilegale serbe
Prishtinë, 21 shkurt - Nën drejtimin e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është mbajtur sot takimi i radhës i Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Në hapje të takimit kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar të qëndrueshme dhe stabile gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës, me përjashtim të veriut ku situata e përgjithshme e sigurisë mbetet e tensionuar dhe vazhdon të provokohet nga strukturat ilegale dhe ekstremiste serbe.
Më tutje Thaçi nënvizoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndërmarrë veprime që edhe në veri të shtrijë kushtetutshmërinë dhe zbatimin e ligjit, duke pasur edhe mbështetjen nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe NATO.
Në takim u tha se Qeveria e Kosovës, me gjithë kundërshtimet e disa subjekteve politike, me obligimet e saja ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ka ndjekur një politikë parimore, duke treguar gatishmëri të vazhdojë bisedimet teknike me Serbinë.
Pavarësisht pakënaqësive, u tha se grupet e organizuara dhe individët të shprehin pakënaqësinë e tyre në forma demokratike dhe në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi.
Meqenëse ky vit kalendarik është edhe viti i përmbylljes së Pavarësisë së Mbikëqyrur, Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandoj që përmbyllja e këtij procesi ta gjej Kosovën të përgatitur në të gjitha sferat e politikave të sigurisë, prandaj u vlerësua i qëlluar dhe proces i domosdoshëm propozimi që Kosova të fillojë me Rishikim Strategjik të Sektorit të Sigurisë.