Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar
Mitrovicë, 16 korrik - Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, vetëm pak orë para nisjes së operacionit të qeverisë së Kosovës, për të marrë kontrollin e dy pikave kufitare.
Mediat serbe raportojnë se drejt veriut të Kosovës janë nisur në orët e vona edhe i ashtëquajturi Ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç dhe shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç.
Sipas mediave, qëllimi i tyre është mbështetja për serbët lokalë në përpjekje për të penguar forcat e autoritetet kosovare që të vendosen në pikat kufitare në veri.
Tensionet vijnë një ditë para se Qeveria të zbatojë planin operativ në veri të vendit për ti marrë nën kontroll pikat kufitare në veri të vendit.
Sipas mediave serbe, rreth orës 20-të, KFOR-i ka mbyllur pikëkalimin kufitar Jarinje.
Mësohet gjithashtu se serbët e veriut, pasi kanë mësuar se është mbyllur pikëkalimi në Jarinje, rreth orës 20:15, kanë bllokuar rrugën në vendin e quajtur Zupç dhe kanë vendosur barrikada para pikëkalimit Bërnjak.
Ndërkohë, kreu i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, u bën thirrje politikanëve në Serbi dhe Kosovë që të tregohen të përgjegjshëm, si dhe kërkoi nga serbët e Kosovës që të përmbajnë emocionet e tyre dhe të shmangin veprimet e dhunshme.
Qeveria e Kosovës pritet të nisë sot një operacion për të marrë kontrollin e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.
Agjencia serbe e lajmeve Tanjug ka publikuar disa pamje të natës së sotme nga kufiri Kosovë-Serbi.