Situata në Mitrovicë e qetë, por e paqëndrueshme
Mitrovicë, 5 prill - Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës është e qetë, por jo e qëndrueshme. Kështu vlerësuan të premten zyrtarët komunalë dhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë, të cilët morën pjesën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se në përgjithësi gjatë javës së fundit situata ka qenë e qetë, por ajo vazhdon të jetë e paqëndrueshme.
Incidentet e shpeshta në veri dhe provokimet e strukturave ilegale serbe janë duke e mbajtur situatën të tensionuar, tha ai.
Bala përmendi disa nga ngjarjet kryesore të ditëve të fundit në veri që lidhen me sigurinë, si protestën e Vetëvendosjes, vizitën në veri nga ambasadori rus në Beograd, për sigurinë e të cilit janë përkujdesur pjesëtarët e Mbrojtjes Civile si dhe djegien e zyres së Oliver Ivanoviqit.
Për këtë të fundit, ai tha se vetë Ivanoviq ka pranuar se zyra i është djegur nga rivalët politikë.
Në anën tjetër, komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, tha se java e kaluar ka qenë e tensionuar për shkak të bisedimeve që janë zhvilluar në Bruksel.
Duke pasur parasysh rrethanat në veri, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në zonat me popullatë të përzier.
Ai gjithashtu bëri të ditur se kanë vazhduar patrullimet e përbashkëta me EULEX-in.