Situata në Jagnjenicë ende e tensionuar
Prishtinë, 29 nëntor - Gjendja në fshatin Jagnjenicë, në veri të Kosovës, ku KFOR-i, pas përleshjeve me serbët lokalë, ka larguar barrikadën, mbrëmë vonë ishte e qetë, ndërsa një numër i madh serbësh ende ndodheshin në vendin ku ndodhej barrikada, raportojnë mediat serbe.
Më herët, KFOR-i ka njoftuar se afro 23 ushtarë të tij janë plagosur nga përleshjet me protestuesit serbë, pas largimit të barrikadës.
Demonstruesit serbë sulmuan pozicionet e KFOR-it dhe shkaktuan
lëndime. Protestuesit kanë shtënë me armë të vogla zjarri në drejtim të trupave të KFOR-it dhe dy ushtarë janë plagosur. Dhuna nga protestuesit ende vazhdon.
Protestuesit përdorin mjete eksploduese dhe koktej Molotovi kundër
KFOR-it. Dhuna ka rezultuar në 23 ushtarë shtesë të lënduar gjatë pasdites së vonshme dhe mbrëmjes.
Protestuesit nuk mund aspak të cilësohen si demonstrues paqësorë, por si të dhunshëm dhe kriminalë.
Deri më tani KFOR-i ka përdorur vetëm sprej piperi, lotsjellës, plumba gome dhe cisterna të ujit.
Megjithatë, në situata kërcënuese për jetën sikurse kjo, ushtarët e KFOR-it ka paralajmruar se do të përgjigjen me te gjitha mjetet proporcionale.
Ministri i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, tha se situata është ekstremisht e tensionuar. Sipas mediave serbe, Bogdanoviç ka theksuar se raportohet se janë plagosur rreth 100 serbë. Institucionet e Kosovës e kanë dënuar fuqishëm sulmin kundër ushtarëve të KFOR-it.