Situata e sigurisë në Mitrovicë është gjithnjë e më e mirë
Mitrovicë, 17 shtator - Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në kabinetin e tij komandant KFOR-it, Gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në komunën e Mitrovicës.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi e ka falënderuar komandantin Miglietta për interesimin e tij për Mitrovicën, ka thënë se falë angazhimit të drejtuesve të komunës dhe mbështetjes të pa rezervë të KFOR-it dhe institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare, situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është gjithnjë e më e mirë dhe po shkon drejt stabilizimit të plotë.
Kemi punuar shumë, bashkë me drejtuesit e komunës së re në veri të qytetit, që situata e sigurisë, lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, si dhe raportet ndëretnike të përmirësohen. Falë kësaj pune, por edhe komunikimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes që kemi pas nga komandanti i paqeruajtësve të KFOR-it për veriun e Kosovës, sot në tërë Mitrovicën kemi një situatë shumë më të relaksuar, e cila po shkon me hapa të sigurt drejt stabilizimit të plotë, ka thënë ai.
Kryetari Bahtiri e ka njoftuar gjeneral-majorin Miglietta edhe me punën që ai dhe institucionet komunale po bëjnë për zhvillimin ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe problemeve tjera sociale në komunë, duke thënë se edhe në këtë drejtim janë arritur rezultate të mira dhe se pritet që këto të jenë edhe më të mira në të ardhmen.
Kemi formuar Zonën e Lirë Ekonomike për tërë rajonin. Në Mitrovicë është duke u rregulluar infrastruktura për Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër, ku do të vendosen rreth 380 biznese, për çka edhe interesimi është mjaft i madh, pasi që kemi hequr pothuaj të gjitha taksat komunale. Së shpejti pritet të filloj punën fabrika për prodhimin e kërpudhave, pastaj të filloj së ndërtuar fabrika për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve rrymë elektrike, ndërkohë që kemi kontakte deh me shumë investitorë të tjerë, tha kryetari Bahtiri.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Guglielmo Luigi Miglietta, tha se ndjehet mirë kur dëgjon për përparime në përmirësimin e situatës së sigurisë në komunë, si dhe për punën e mirë që po bëhet ën zhvillimin e ekonomik të saj.
Mendoj se prania e KFOR-it këtu është mjaft e rëndësishëm për qytetarët dhe komunën tuaj. Gëzohem që keni pas komunikim dhe bashkëpunim të mirë me pjesëtarët e KFOR-it, gjë që ka rezultuar me stabilizimin e gjendjes së përgjithshme, përmirësimin e komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe lëvizjen e qarkullimin e lirë të qytetarëve e mallrave. Unë do të angazhohem maksimalisht që bashkëpunimin dhe komunikimin me ju ta thellojmë akoma, tha ai.
Komandanti Miglietta, tha në vazhdim se stabilizimi i plotë i gjendjes së sigurisë, krijimi i kushteve për lëvizje e qarkullim të lirë dhe përmirësimi i raporteve ndëretnike, janë parakushte dhe hapi i parë për të pas zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe për të përmirësuar cilësinë e njerëzve këtu.