27 Dhjetor 2024

Situata e sigurisë në Mitrovicë e qetë por shumë e ndjeshme

Mitrovicë, 9 shkurt - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur në takim ambasadorin gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, me të cilin bisedoi për situatën aktuale në Mitrovicë.

Ambasadori u interesua për aspekte të ndryshme, si për aktualitetin politik, sigurinë, zhvillimin ekonomik etj.

Ai vlerësoi se duhet të bëhet më shumë lidhur me informimin e qytetarëve në veri për realitetin në pjesën tjetër të Kosovës.

Kryetari Kastrati, tha se situata e sigurisë kohëve të fundit është e qetë, mirëpo shumë e ndjeshme.

Ai përmendi problemin e barrikadave që kanë vështirësuar së tepërmi lëvizjen e lirë të qytetarëve, sidomos të atyre joserbë në veri të Kosovës.

Ai theksoi se strukturat e sigurisë, si KFOR-i, Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, duhet të jenë shumë më të vendosura për t’u përballur me strukturat ilegale serbë që  po e mbajnë të tensionuar situatën në veri. “Në veri ka nevojë për rend dhe ligj, në mënyrë që të normalizohet jeta”.

Një problem tjetër shumë i ndjeshëm tha se është mosfunksionimi i gjykatave. Si rrjedhojë, tha kryetari Kastrati, qytetarët po kanë probleme të mëdha për realizimin e të drejtave të tyre, ndërsa në anën tjetër institucionet nuk po mund t’i realizojnë shumë vendime.

Duke folur për procesin e kthimit të të zhvendosurve, ai përmendi Lagjen e Romëve në jug të qytetit. Tha se është storie e suksesit. “Problemin më të madh e kemi me të zhvendosurit shqiptarë nga veriu, të cilët janë në numër të madh, përderisa strukturat ilegale serbe vazhdimisht tentojnë të pengojnë procesin e rindërtimit të shtëpive në veri”.

Ambasadori gjerman u interesua edhe për kontaktet e mundshme mes zyrtarëve komunalë dhe qytetarëve serbë në veri, duke vlerësuar shumë me rëndësi informimin e qytetarëve të atjeshëm  me realitetin në pjesën tjetër të Kosovës.

Lidhur me këtë, kryetari Kastrati, tha se takime ndodhin me qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, por jo me strukturat ilegale.

Në këtë kontekst, ai tha se kohëve të fundit numri i qytetarëve serbë që pajisen me dokumente personale të Republikës së Kosovës është rritur dukshëm.

“Në komunë është rritur ndjeshëm numri i serbëve që marrin dokumentet personale të Republikës ë Kosovës. Megjithatë pjesa më e madhe e tyre janë të shantazhuar nga strukturat kriminale serbe, për të mos bashkëpunuar me institucionet kosovare”.

Duke folur për gjendjen ekonomike, kryetari Kastrati,  ka përmendur nivelin e lartë të papunësisë. Tha se rrethanat politike kanë ndikuar edhe në aspektin ekonomik. Në  anën tjetër, e falënderoi ambasadorin gjerman për mbështetjen e shumë projekteve zhvillimore nga Gjermania.

Ai tha se janë duke punuar për një projekt që do të mbështetet nga GIZ-i e që ka të bëj me hapjen e një shkolle profesionale në fushën e mbrojtjes së ambientit. Ceku edhe një tjetër projekt, që pritet të mbështetet nga organizatat gjermane lidhur me hapjen e një fabrike për prodhimin e ushqimeve bio.               
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)