22 Dhjetor 2024

Situata e sigurisë në Mitrovicë e qetë dhe nën kontroll

Mitrovicë, 13 shtator - Situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit pas incidentit që ndodhi të shtunën mbrëma në afërsi të urës kryesore të Ibrit. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e rregullt të Komitetit Lokal për Siguri Publike të Komunës së Mitrovicës, ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe të sigurisë.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka dënuar veprimet e dhunshme që kanë ndodhur atë natë, ku është rrezikuar jeta e qytetarëve dhe e pjesëtarëve të rendit. “Ka qenë një incident fare i panevojshëm dhe i paarsyeshëm. Veprimet e dhunshme, me ç’rast një polic i EULEX-it është plagosur me armë zjarri, ndërsa disa qytetarë kanë pësuar lëndime nga hedhja e gurëve janë të papranueshme dhe të dënueshme”.

Ai kërkoj nga përgjegjësit e sigurisë që të marrin masa për identifikimin e personave të dhunshëm dhe të nxjerrën para drejtësisë. “Dhuna nuk duhet të tolerohet prej askujt. Strukturat e sigurisë duhet të jenë edhe më energjike në veri në mënyrë që të izolohen personat që janë duke shkaktuar incidente të përditshme”, tha Haziri.      

Ai ka ngritur si shqetësim praninë e madhe të armatimit në mesin e personave të paautorizuar në veri, të cilët në çdo moment janë të gatshëm që të shkaktojnë dhunë. “Kjo është shqetësim si për qytetarët, ashtu edhe për strukturat politike dhe të sigurisë. Duhet masa energjike për arrestimin e këtyre personave që janë duke e mbajtur të tensionuar gjendjen”.

Në anën tjetër, ai ka shprehur falënderim për angazhimin e pjesëtarëve të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, të cilët përkundër rrezikut me të cilin janë përballur e kanë kryer punën e tyre. “Policia e EULEX-it, ajo e Kosovës dhe KFOR-i e kanë kryer mirë punën e tyre duke menaxhuar situatën e krijuar dhe duke marrë atë nën kontroll”.

Nënkryetari Haziri në këtë takim ka ngritur edhe çështjen e përdorimit të alarmit nga strukturat paralele në veri, me anë të të cilit sa herë që atyre ju konvenon i ftojnë qytetarët në tubime. “Nuk duhet të lejohet që alarmi të përdoret nga këto struktura ilegale, meqë me anë të tij po ftohen qytetarët nëpër tubime që zakonisht kanë për qëllim eskalimin e situatës”.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se ditëve të fundit ka pasur incidente të shpeshtuara në veri. Ai përmendi rrahjen masive në mes të qytetarëve serbë në Zveçan, mandej vrasjen e Hakif Mehmetit në Kodrën e Minatorëve, shpërthimin në veri si dhe incidentin të shtunën mbrëma. “Këto padyshim se e mbajnë situatën të tensionuar, andaj në veri duhet prani më e madhe e strukturave të sigurisë”.        

Avni Zaiti nga policia rajonale e Kosovës në Mitrovicë, tha se pas incidentit të së shtunës kanë nisur hetimet dhe janë duke u analizuar të gjitha veprimet e dhunshme të personave të mbledhur në afërsi të urës. “Hetimet kanë nisur, janë duke u përdorur edhe pamjet nga kamerat që janë në afësi të urës”.

Ndërsa sa i përket rastit të vrasjes në Kodrën e Minatorëve, ai tha se tashmë është arrestuar një i dyshimtë, një pjesëtar serb i policisë së Kosovës, i cili është suspenduar dhe nga prokurori i është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë.      
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)