Situata e sigurisë në Mitrovicë e qetë
Prishtinë, 21 shkurt - Situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë, përkundër disa incidenteve që kanë ndodhur në dy javët e fundit.
Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë, ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe atyre të sigurisë.
Nënkryetari i Komunës, Riza Haziri, tha se incidentet që kanë ndodhur nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.
Me këtë rast ai vuri në dukje shqetësimin për mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët joserbë në veri të qytetit.
Kërkojmë nga strukturat e sigurisë që të fokusohen në këtë aspekt, meqë problemet për lëvizje të lirë në veri janë të mëdha.
Nënkryetari Haziri kërkoi nga autoritet e sigurisë që të ndihmojnë edhe për projektin e regjistrimit të popullatës, që do të nis me 1 prill të këtij viti.
Projekti i regjistrimit është shumë i rëndësishëm, mirëpo duke pasur parasysh rrethanat në veri kërkojmë nga autoritetet e sigurisë që të krijojnë kushte për realizimin e këtij procesi edhe në veri.
Në lidhje me incidentet e fundit që kanë ndodhur në veri, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ato kanë shqetësuar qytetarët që jetojnë në veri.
Ai përmendi vendosjen e afisheve nacionaliste serbe në Kodrën e Minatorëve, mandej sulmin ndaj policisë në Zubin Potok etj.
Këto incidente janë duke e mbajtur gjendjen të tensionuar dhe kjo është politikë dhe qëllim i strukturave serbe që dirigjohen nga Beogradi.
Në anën tjetër, drejtori Bala, ka përmendur se manifestimet për trevjetorin e Shpalljes së Pavarësisë të organizuara nga Komuna e Mitrovicës kanë kaluar pa asnjë problem.
Ndërsa Avni Zaiti nga Policia Rajonale në Mitrovicë, tha se sa i përket afisheve në Kodrën e Minatorëve, policia e ka hapur rastin dhe është duke punuar në zbardhjen e këtij rasti që ka shqetësuar qytetarët e atjeshëm.
Komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, foli për situatën në jug të qytetit.
Ai se gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur asnjë rast që vlen të përmendet. Me këtë rast, ai sqaroi se Policia është duke zbatuar disa plane operative, si atë për trafik, luftimin e kontrabandës, parandalimin e krimeve etj.
Komandanti Zabeli, në këtë takim njoftoi për hapjen e një zyre policore në Trepçë. Ka qenë kërkesë e kamotshme e qytetarëve të atjeshëm dhe ne ftojmë ata që të bashkëpunojnë me policinë.