Sistemit prokurorial të Kosovës i shtohen edhe 4 prokurorë të ri
Propozimi për emërim ishte bazuar në një proces gjithëpërfshirës të vlerësimit dhe verifikimit, përzgjedhjes fillestare, para-përzgjedhjes, testit me shkrim, intervistimit, rangimit dhe procedurës së ri-shqyrtimit të kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Prokurorit të Shtetit, të udhëhequr nga Komisioni për Emërim dhe Rishqyrtim, i themeluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në pajtim me procedurat dhe kriteret e parapara me ligj dhe Rregulloren mbi Procesin e Rekrutimit, Emërimit dhe Riemërimit të Prokurorëve.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, pas betimit të 4 prokurorëve të ri tha se sistemi prokurorial i Kosovës në vazhdimësi është duke punuar në shtimin e kapaciteteve njerëzore, në mënyre që puna e këtij sistemi të jetë sa më efikase dhe sa më e dobishme për qytetarët. Ai falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen e vazhdueshme që është duke i dhënë sistemit prokurorial, ndërsa nga prokurorët e rinj kërkoi angazhim dhe përkushtim në detyrën e tyre të re.
Betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës sot e dhanë: Remzush Latifi, Ibrahim Fejza, Shpend Krasniqi dhe Rafet Halimi.
Me betimin e 4 prokurorëve të rinj, tani sistemi prokurorial i Kosovës numëron 139 prokurorë, ndërsa është duke u punuar në rritjen e numrit të tyre, me qëllim që sistemi prokurorial të jetë sa më efikas.