Sistemi Noterial në Kosovë model për vendet tjera
Prishtinë, 24 prill - Infrastruktura ligjore e Sistemit Noterial të Kosovës, kushtet dhe puna e noterëve këtu na ka impresionuar për të mirë, kështu tha sot Zëvendëspresidenti i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar (CCNI) pran Unionit Ndërkombëtar të Noterisë, Domenicue Savoure, pas një takimi të zhvilluar me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Zëvendëspresidenti Savoure, kryesues i një delegacion të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë, i cili është duke e inspektuar Sistemin Noterial në Kosovës, ka shkuar edhe më larg duke thënë se ky sistem mund të merret edhe si një model i mirë për vendet tjera.
Ministri Kuçi pasi foli për punët që janë bërë në funksionalizimin e Sistemit Noterial në Kosovë, tha se do të jenë të kujdesshëm për rekomandimet të cilat do të mund të vijnë nga Unioni Ndërkombëtar i Noterisë, duke shtuar se këto rekomandime edhe do ti plotësojnë.
Ministri Kuçi shprehi bindjen e tij se së shpejti do të jenë anëtarë të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë, duke qenë anëtar i barabartë dhe konkurrent pozitivë në këtë sistem.
Unë si Ministër i Drejtësisë premtoj se do ti kryejmë obligimet dhe se ne do të kemi një sistem të krahasueshëm me shtetet e rajonit, por edhe me shtetet anëtare të BE-së, ka thënë Kuçi.
Në këtë takim u tha se, Unioni Ndërkombëtar i Noterisë do të merr vendim për pranimin e Sistemit Noterial të Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë gjatë Asamblesë së Përgjithshme që do të mbahet në tetor të këtij viti Lima të Perusë.