Sindikatat kërkojn lirimin e sindikalistit Abazi
Prishtinë, 4 prill - Sindikata e Pavarur e Metalistëve të Kosovës së bashku me 12 federatat sindikale kanë kërkuar nga zyrat diplomatike që veprojnë në Kosovë si dhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton që të bëjnë çështë e mundur për lirimin e sindikalistit, Hasan Abazi.
Po ashtu kanë kërkuar nga instancat vendore më të larta të mos të rrinë duarkryq, pasi sipas tyre janë të zgjedhur nga vota e popullit.
Të respektuar diplomat të të gjitha vendeve që veproni në Republikën e Kosovës. Ne përfaqësuesit e Sindikatave të Pavarura të Kosovës u drejtohemi me kërkesën për reagim dhe ndihmë në lirim të z.Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës të Pavarur të Metalistëve të Kosovës i arrestuar në kufirin me Serbinë. I njëjti akuzohet për spiunazh-dhënie të informacioneve NATOS, thuhet në kumtesë.
Në njoftimin thuhet se Abazi është viktimë e marrëveshjeve të arritura në mes të Republikës të Kosovës dhe Republikës të Serbisë me ndërmjetësimin e BE për qarkullim të lirë dhe menaxhim të integruar të kufijve.Sipas tyre, deklarimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacic se arrestimi është bërë në shenjë hakmarrjeje nuk do koment për këtë çështje.
SPMK ka njoftuar se Abazi po mbahet në burgun e Vranjës në një dhomë të vogël pa kushte elementare për jetë.