Sindikata e shqetësuar me rastin e incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë
Prishtinë, 15 prill - Sindikata e Policisë së Kosovës falënderon Policinë e Kosovës për guximin e treguar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit.
Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të vendit ku edhe sot është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e tyre.
Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në të ardhmen e që kjo e pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policor që gjatë kryerjes së detyrave zyrtare sipas ligjit dhe autorizimeve e kanë përditshmëri gjatë 24 orë në ditë.
Rast konkret është edhe rasti i datës 14.04.2022, zjarri që ndodhi në një objekt banimi në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë, në të cilin rast Policët si çdo herë reaguan të parët në vendin e ngjarjes duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre për të shpëtuar jetën e banorëve që gjendeshin brenda banesës derisa ishte e përfshirë nga flaka dhe tymi.
Këto janë rastet më të freskëta që Institucionet e Republikës së Kosovës t’a kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që t’a përmirësojnë mirëqenien dhe ti plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës.
Sindikata e Policisë së Kosovës është aktivisht duke punuar dhe ka dhënë alternativa për plotësimin e kushteve të lartcekura dhe konkretisht për Sigurimin shëndetësor dhe jetësor.