Sindikata e Judikaturës kërkon rritje të pagave
Prishtinë, 25 janar - Sindikata e Judikaturës ka kërkuar rritjen e pagave të punëtorëve në sistemin e drejtësisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës para disa ditësh mori vendim për ngritje të pagave për një pjesë të gjyqtareve, vendim ky, të cilin e konsiderojmë pak të vonuar, por që e mbështesim dhe e shohim si shumë të nevojshëm. Megjithatë duhet theksuar se kjo është vetëm një zgjedhje parciale dhe se i tërë sistemi i drejtësisë është dashur të përfshihet në këtë kompensim të domosdoshëm.
Sistemi i drejtësisë është një mekanizëm që nuk funksionon pjesërisht, pra çdo hallkë e këtij sistemi duhet të funksionojë, në mënyrë që të funksionojë sistemi si tërësi dhe qytetari ta shohë, se e drejta e tij nuk është vetëm e shkruar por edhe e realizueshme. Me stimulim parcial vetëm krijohet parcializim dhe fragmentarizim i një procesi të punës dhe shkakton pakënaqësi të pjesa tjetër që nuk përfshihet në këtë stimulim, çfarë edhe ka ndodhur në tërë Gjykatat dhe Prokuroritë në Kosovë.
\"Ndaj, ne kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që edhe pjesa tjetër e punonjësve të Gjykatave dhe Prokurorive të përfshihen në këtë stimulim, në proporcion me përgjegjësitë e tyre nga punët dhe detyrat e punës së tyre. Po ashtu, ne kërkojmë edhe kompensim të shpenzimeve të udhëtimit, posaçërisht për Gjykatat dhe Prokuroritë që selinë e kanë pasur në qytetin e Prishtinës, e nga viti i kaluar janë vendosur në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, Qeveria duhet ta dijë se punëtori në Kosovë pagën e ka edhe për familjen, e ky udhëtim për mbi 20% e dëmton pagën, e cila mezi përmbushë minimumin ekzistencial të punëtorit\", është thënë në njoftimin e kësaj sindikate.