13 Janar 2025

Siguria nuk vjen nëpërmjet bunkerizimit të kufijve

Prishtinë, 4 nëntor -  Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi deklaroi se siguria jonë nuk vjen nëpërmjet bunkerizimit të kufijve tonë, por nga fuqizimi i besimit ndërmjet popujve dhe shteteve tona.

\"Është ky moment kthese sepse është kjo koha kur kufijtë po kthehen nga vija ndarëse në vija të komunikimit dhe bashkëpunimit. Ne, nuk mund t’i ikim historisë sonë, por mund të mësojmë nga ajo. Fakti që sot jemi këtu, në Prishtinë, së bashku nga i gjithë rajoni duke diskutuar për shqetësime të përbashkëta në fushën e sigurisë, tregon se ky ndryshim në qasjen tonë ka filluar të jetësohet\", deklaroi Thaçi në fjalën e tij në Konferencën Rajonale “Siguria kufitare” që po mbahet në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë, e organizuar nga Dogana dhe Policia e Kosovës.

Ai tha se Republika e Kosovës ka bërë progres të madh në thellimin e bashkëpunimit me fqinjët e saj. Republika e Kosovës ka nënshkruar dhe ratifikuar 22 marrëveshje bilaterale me vendet e rajonit në fushën e sigurisë kufitare dhe 11 marrëveshje të tjera ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit doganor. Republika e Kosovës ka vazhduar t’i rrisë kapacitetet që ka për tu përballur me sfidat për sigurinë dhe për t’u përballur me rreziqet që sjell krimi i organizuar që nuk njeh kombësi dhe as kufi. Këto fenomene po na ngadalësojnë në rrugëtimin tonë drejt familjes Evropiane ku e kemi vendin si rajon.
 
\"Është qenësore që të lëmë anash dallimet tona dhe të rrisim bashkëpunimin si kusht për paqe dhe prosperitet në rajonin tonë, shtëpinë tonë. Për demokracinë dhe shoqërinë e hapur është me rëndësi që kufijtë të jenë të hapur që të zhvillohet dhe realizohet potenciali i qytetarëve tonë\", tha ai.
 
Sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në familjen evropiane, sepse liria e lëvizjes rritë sigurinë tonë, rritë mirëkuptimin midis popujve tanë, largon paragjykimet, dhe fuqizon si një. Falë bashkëpunimit rajonal, e ardhmja jonë Evropiane ka filluar të formësohet. Siguria jonë nuk vjen përmes bunkerizimit të kufijve tonë, por përmes fuqizimit të besimit midis popujve dhe shteteve tona.

\"Sot jemi bashkuar këtu, pothuajse të gjithë nga rajoni, dhe besoj se në takimet e ardhshme do të jenë edhe përfaqësuesit e Serbisë, sepse pas Marrëveshjes së Bruskelit, besoj se janë hapur të gjitha mundësitë dhe hapësirat e mundshme të bashkëpunimit, komunikimit, në interes të vendeve dhe gjithë popujve të rajonit.

Bashkëpunimi midis vendeve tona, si partner të barabartë, është në nivelin më të lartë në mes të vendeve të rajonit, dhe kjo falë angazhimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prandaj edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, falënderoj edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, edhe për prezencën edhe për mbështetje.

Dhe në fund më lejoni që t’iu inkurajoj të gjithëve që sigurinë ta shohim si mundësi për të rritur bashkëpunimin\", deklaroi  Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)