Shqyrtohet reciprocitet i arrestimeve Kosovë-Serbi

Bruksel, 30 mars - Ende pa nisur mirë zbatimi, marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e arritur mes Edita Tahiri dhe Borislav Stefanoviqit, nuk do t`u shërbejë për asgjë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Tre muaj pas arritjes së marrëveshjes shumë të proklamuar në Bruksel, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë nëpër Serbi.
Shkas janë bërë një valë arrestimesh të paralajmëruara nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Arrestimet e të gjithë banorëve të Kosovës që thyejnë rendin kushtetues të Serbisë, ministri i Brendshëm serb ka thënë se do t`i bëjë si reciprocitet ndaj disa arrestimeve të bëra nga Policia e Kosovës, të disa qytetarëve serbë, pjesë të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.
Ndërmjetësi i bisedimeve Robert Cooper, sipas burimeve të gazetës Koha, është shqetësuar me veprimet e fundit.
Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar evropian i ka thënë gazetës se Cooper po i shqyrton mundësitë se si të adresohet çështja dhe të ndalet trendi, që dëmton seriozisht marrëveshjet e arritura, sidomos atë për lëvizjen e lirë.