19 Maj 2024

Shqyrtohet raporti i Policisë për protestat e 14 janarit

Prishtinë, 30 janar - Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua Raporti i Policisë së Kosovës  lidhur me ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga  Lëvizja Vetëvendosje, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Disa nga anëtarët e Komisionit paraqitën vërejtje të shumta në këtë raport duke theksuar se ky raport posedon evidenca të pasakta. Madje, nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, tha se në raport ka tendenca të animit politik dhe se  Policia e Kosovës ka zbatuar një urdhër të keq.

Disa nga anëtarët tjerë të komisionit vlerësuan se raporti paraqet në pah zhvillimet e 14 janarit dhe veprimet e PK-së, duke theksuar se Policia e Kosovës ka zbatuar ligjin.

Pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë nxjerr disa konkluzione dhe rekomandime.  U tha se Raporti i dorëzuar në Komision nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së është raport i bazuar në rrjedhat e protestës së 14 Janarit dhe përmban të dhëna për veprimet policore sipas planit operativ të përpiluar paraprakisht. Përpos raportit policor, Komisioni ka edhe informacione të ndryshme lidhur me rrjedhjen e ngjarjeve.

Tutje u theksua se janë identifikuar disa raste individuale ku ka dyshim të bazuar për tejkalim autorizimesh nga ana e PK-së dhe se këto raste individuale, qoftë nga pjesëtarë apo eprorë të PK-së, për asnjë çast nuk duhet të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, kundruall qytetarëve të vendit.

Më tej anëtarët e komisionit theksuan se deri javën e kaluar janë hapur për hetim katër raste; tri raste janë dërguar në Drejtorinë për Standarde Profesionale në PK dhe një rast është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës. Rastet tjera ende janë në hetim preleminar.

Më tej anëtarët e komisionit kanë nxjerrë këto rekomandime: Raporti i PK-së duhet të plotësohet me të dhëna të sakta statistikore të cilat duhet të përfshijnë numrin dhe natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të PK-së dhe protestuesve, arrestimin e Deputeteve të Parlamentit të Kosovës, arsyetimin për ndërhyrje në pronat private, lëndimin e gazetarëve, si dhe numrin e rasteve nën hetim lidhur me ngjarjet e 14 Janarit.

Rekomandim tjetër i komisioni është që organet përgjegjëse, Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe Drejtoria për Standarde Profesionale pranë PK-së, sa më shpejt të jetë ë mundur të përmbyllin dhe të publikojnë rezultatet e hetimeve.

Tutje në këto rekomandime thuhet që Pjesëtarët e Policisë së Kosovës  kanë nevojë për trajnime shtesë për menaxhimin e turmave dhe pajisje shtesë për situata të tilla, si dhe kanë nevojë të përmirësojnë nivelin e komunikimit përmes pajisjeve teknike, pasi që ka pasur pengesa teknike në komunikim në mes njësiteve përkatëse.

Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar dhe përkrahur propozim-amendamentet  për Projektligjin nr. 04/L-84 për pensionet e  
pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për Projektligjin nr. 04/L-89 për deminimin humanitar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)