Shqiptarët dominojnë tregun e drogës në rajonin e Zvicrës
Bernë, 21 shtator - Grupet e shqiptarëve që trafikojnë drogë në Zvicër janë të organizuar në mënyrë hierarkike. Sipas medieve zvicerane, klientët e varur nga droga në kantonin zviceran, Thurgau, furnizohen nga grupet e organizuara në Ballkan.
Brenda këtij viti, në këtë rajon, u arrestuan dhjetë shpërndarës droge, të llojit heroinë dhe kokainë, nga të cilët pesë ishin shqiptarë. Ndërkaq, dhjetëra aksione policore në këtë rajon kanë përfunduar pa arrestime.
Gazeta zvicerane Thurgauer Zeitung, duke cituar policinë, ngre pyetjen nëse tregtia e drogës në Thurgau në duart e shqiptarëve.
Tregtia e heroinës dhe kokainës dominohet nga grupet e organizuara të Gadishullit Ballkanik, konfirmon një zëdhënës policie.
Në Thurgau, veprojnë grupe aktive nga Serbia e Shqipëria, që përfshijnë edhe anëtarë të kombësive të tjera. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Policisë, vitet e fundit janë krijuar depo të mëdha heroine në vendet e ndryshme të Europës Juglindore.
Zakonisht, droga dorëzohet nga grupet kriminale turke, ndërsa shqiptarët merren me shpërndarjen e mëtejshme e heroinës në drejtim të Europës Perëndimore dhe Qendrore.
Ata e kalojnë drogën kontrabandë përmes rrugëve të ndryshme në sasi deri në 100 kg, duke përdorur kamionë dhe makina. Sasi kilogramësh droge kalojnë nga Gjermania, Franca, Austria e Italia me rrugë të ndryshme për në Zvicër.
Droga më pas shpërndahet tek shitësit që furnizojnë klientët. Sipas Zyrës Federale të Policisë, grupet shqiptare janë të organizuara në mënyrë hierarkike, ku çdo anëtar ka një funksion të mirëpërcaktuar.