Shqipëria do të vazhdojë të mbështes FSK-në

Prishtinë, 11 maj - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami.
Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishme mbështetjen e plotë që Kosova e ka nga Shqipëria në të gjitha fushat, e sidomos në përkrahjen për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në takim u tha se bashkëpunimi i shkëlqyer ushtarak mes Kosovës dhe Shqipërisë është i rëndësishëm për forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Përvoja e Shqipërisë, që tashmë është anëtare e NATO-së, është kruciale për FSK-në, në rrugën e saj drejt përvetësimit të standardeve bashkëkohore theksoi kryeministri Thaçi.
Nga ana e tij, Ministri Arben Imami siguroi kryeministrin Thaçi se Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë do të vazhdojë të mbështes FSK-në në procesin e ngritjes së mëtejme të kapaciteteve të saj.