Shqipëria do të ndihmojë FSK-në në procesin e transformimit në FAK
Prishtinë, 26 nëntor - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) Haki Demolli priti sot në vizitë zyrtare në ambientet e MFSK-së ministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë Mimi Kodhelin e shoqëruar nga delegacioni i saj.
Në fillim u mbajt takim i veçantë mes dy ministrave, në prani të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë zoti Qemal Minxhozi. Më pastaj takimi vazhdoi në përbërje të plotë të dy delegacioneve i kryesuar nga dy ministrat.
Në fjalën e tij ministri Demolli e njoftoi ministren Kodheli për të arriturat dhe sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në fillim të fjalës së tij ai foli me hollësi për procesin e përgatitjeve për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura (FAK).
Po ashtu ai kërkoi angazhimin konkretë nga Republika e Shqipërisë që të ndihmohet FSK dhe Kosova në procesin e integrimeve euroatlantike, pastaj foli për synimin e FSK-së, konkretisht Kosovës që të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut A-5.
Me këtë rast ministri Demolli e njoftoi ministren Kodheli për themelimin e Qendrës Trajnuese të Kërkim Shpëtimit të FSK-së me objektiv që të bëhet qendër trajnuese rajonale dhe për rëndësinë e kësaj qendre në trajnimin e njësive të ushtrisë së Shqipërisë dhe vendeve tjera të rajonit.
Duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e deri tashëm në mes të dy ministrive, FSK-së dhe Ushtrisë së Shqipërisë, ministri Demolli kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe gjatë vitit 2017 me një plan bashkëpunimi konkretë dhe të detajuar.
Ministrja Kodheli duke uruar ministrin Demolli për Ditën e Forcës u shpreh e nderuar dhe e kënaqur për të arriturat e FSK-së dhe tha se bashkëpunimi i të dy ministrive në fusha të ndryshme do të jetë gjithmonë prioritet për ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.
Ajo theksoi se Shqipëria do të angazhohet konkretisht të ndihmojë FSK-në në procesin e transformimit në FAK, të ndihmojë FSK-në dhe Kosovën për integrime euroatlantike si dhe të ndihmojë në agjendat dhe procedurat aplikuese që edhe Kosova të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut A-5. Po ashtu ajo shprehi mundësinë e trajnimeve të pjesëtarëve të FSK-së në Qendrën e Trajnuese të Ekselencës së NATO-s që do të ngritët në Shqipëri.
Në fund të takimeve të dy ministrat patën deklaratë për media, ku shprehen qëndrimet e tyre të përmbledhura nga takimi dy palësh i delegacioneve përkatëse.
Në takimet bilaterale nga MFSK morën pjesë: ministri i FSK-së Haki Demolli, zëvendës ministri i FSK-së Muhamet Latifi, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, shefi i kabinetit të ministrit Latif Leka, atasheu ushtarake në Republikën e Shqipërisë nënkolonel Enver Dugolli dhe këshilltarja e ministrit znj. Luljete Sokoli, kurse delegacioni i Republikës së Shqipërisë kryesohej nga Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit Strategjik të Mbrojtjes Igli Hasani, drejtori i J-5/8 SHPFA kolonel Arjan Hilaj, këshilltarja për medie Edlira Prendi dhe asistentja e protokollit Elona Mako.