Shpërthim në veri të Mitrovicës
Këtë herë, siç njofton Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës, cak i shpërthimit ishte shtëpia e një qytetari me përkatësi boshnjake, Nagip Hysenit, në Lagjen e Boshnjakëve.
Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se nga shpërthimi janë dëmtuar xhamat e shtëpisë së Hysenit dhe të një shtëpie fqinje, por, nuk ka pasur të lënduar.
Policia është duke i kryer hetimet, por deri më tani nuk dihet as motivi dhe as autorët e shpërthimit.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar, kanë ndodhur mbi 25 shpërthime të ngjashmë ne pjesën veriore të Mitrovicës.
Hoti thotë se metodologjia në 99 për qind të rasteve është e njëjtë, sikurse edhe lloji i eksplozivit.
Shpërthimet janë shtuar pas intensifikimit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje për pjesën veriore të Kosovës, në të cilën ende nuk ka arritiur të shtrijë autoritetin Prishtina zyrtare.
Atje kontrollin e mbajnë strukturat paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë.
Së fundi, palët në Bruksel kanë arritur marrëveshje, mes të cilave parashihet shpërbërja e disa prej strukturave paralele si dhe legalizimi i disa të tjerëve.
Serbët e veriut kundërshtojnë marrëveshjen në fjalë.