Shoqatat e UÇK-së dënojnë huliganizmin e disa protestuesve
Prishtinë, 24 janar - Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së kanë mbështetur protestën e sotme, me motivet më të sinqerta, duke e konsideruar si një protestë për të mirën e përgjithshme si dhe duke besuar në sinqeritetin e organizatorëve.
Mbrojtja e pasurive të Kosovës si dhe dënimi i deklaratave shoveniste nga ana e një ministri serb të Qeverisë së Kosovës, ishin qëllimet për të marë pjesë në protestën e sotme.
\"Kështu besojmë se edhe qytetarët që morën pjesë, kishin sinqeritetin më të madh për protestë dinjitoze, e assesi prirjen për dhunë të panevojshme\".
\"Ne dënojmë ashpër politizimin e protestës e cila do të duhej të ishte gjithëpopullore, si dhe dënojmë sulmet që u bën ndaj policisë dhe ndërtesës së Qeverisë.\"
\"Gjithashtu, dënojmë ashpër të gjithë ata që tensionuan situatën, luajtën me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve, duke e shndërruar protestën në të kundërtën e qëllimit të saj\", theksohet në reagimin e shoqatave të UÇK-së.
Përderisa qytetarët sipas tyre u tubuan për mbrojtjen e pasurive të Kosovës, kahja politike dhe huliganiste që iu dha protestës, prodhoi të kundërtën: u demoluan ndërtesat e institucioneve të Kosovës dhe objektet afariste, si dhe u lënduan ata që kujdesen për sigurinë tonë.
Shoqatat e dalura nga Lufta e UÇK-së, do të përkrahin të gjitha protestat paqësore për të mirën e përgjithshme, e assesi protestat vandaliste ku dëmtohen pronat publike dhe të qytetarëve.