Shkurtohet aktakuza ndaj Ramush Haradinajt
Hagë, 15 janar - Tribunali i Hagës edhe një herë ka zbutur akuzat ndaj Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij në Zonën Operative të UÇK-së në Dukagjin, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Siç raporton portali KosovaTimes, në një njoftim nga Tribunali i publikuar të premten, thuhet se gjykatësit kanë urdhëruar Prokurorinë të korrigjojnë dhe shkurtojnë një varg pikash në aktakuzën kundër Haradinajt.
Paneli i gjykatësve kërkon nga Prokuroria që mbi bazë të urdhrit të pastrohet aktakuza dhe ti dorëzohet gjykatës deri më 21 janar.
Gjykimi i pjesshëm ndaj Haradinajt pritet të fillojë në fund të këtij muaji ose më së largu në fillim të shkurtit. Ky proces është paralajmëruar të përfundojë në qershor ose më së largu në gusht të këtij viti.