SHKK dhe SHSK bëhen Agjenci në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë
Prishtinë, 25 shtator - Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot Shërbimi Korrektues (SHKK) dhe Shërbimi Sprovues (SHSK) i Republikës së Kosovës u avancuan nga departamente në Agjenci (Organe Qendrore të Administratës Shtetërore).
Ky avancim ka gjetur mbështetjen me hyrjen në fuqi të Ligjit për Ekzekutimin e sanksioneve penale.
Në fjalën e rastit të mbajtur në këtë ceremoni, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se Shërbimi Korrektues dhe Sprovues i Kosovës për herë të parë po avancohet në Agjenci, ku sipas tij kjo është bërë duke u mbështetur në Ligjin për Ekzekutimin e sanksioneve penale dhe sipas standardeve të BE-së.
Që nga viti 2011-ta, buxheti, organizimi i prokurimit, administrata, personeli etj., kanë qenë të pavarura, por tani Ligji na ka dhënë mundësinë që atë të cilës i kemi parapri më hapa praktik, tani ta bëjmë edhe me bazë juridike.\"
\"Ne do të vazhdojmë ti ndërtojmë politikat për SHKK-në dhe SHSK-në, ndërsa për punën dhe angazhimin, përgjegjësin do ta kenë këto dy agjenci që po themelohen sot, tha Kuçi.
Ministri Kuçi tha se me krijimin e këtyre dy agjencive dhe me bartjen e disa organeve tjera që kanë funksionuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në institucione tjera, Ministria e Drejtësisë ngadalë po shkon duke e reduktuar punën vetëm në ndërtimin e politikave dhe shtoi se tani është krijuar baza ligjore për zhvillimin e veprimtarive ekonomike, sidomos në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Më tej Ministri foli për punët që janë duke u bërë për kategorizimin e qendrave korrektuese dhe për vënien në funksion të Burgut të Sigurisë së Lartë.
Drejtoresha e SHSK-së, Metije Ademi dhe u.d. Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Shemsi Hajrizi, premtuan që me punën e tyre do ta arsyetojnë vendimin për avancimin në Agjenci dhe se do të përmbushin të gjitha obligimet që parashihen me Ligjin për Ekzekutimin e sanksioneve penale.