17 Maj 2024

Shkatërrohet municioni i grumbulluar gjatë vitit të kaluar

Prishtinë, 12 nëntor - Policia e Kosovës dhe UNDP kanë bërë shkatërrimin publik të municionit në Golesh të Sllatinës. Më këtë rast, është bërë shkatërrimi i municionit të grumbulluar gjatë vitit të kaluar, që është në kuadër të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Kontrollimin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se ky rast tregon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në veçanti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të kontrollojnë dhe të konfiskojnë sa më tepër armë ilegale dhe municion, që është në duar të paautorizuara.

Ministri Rexhepi falënderoi UNDP-në dhe Ambasadën e Gjermanisë, në përkrahjen e projekteve të tilla të një rëndësie të veçantë, siç është trajnimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe certifikimi i tyre si ekspertë në shkatërrimin e municioneve.

Zëvendës-përfaqësuesja e Përhershme UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, përgëzoi MPB-në dhe Policinë e Kosovës, duke theksuar se një ngjarje e tillë dëshmon konkretisht zotimin e faktorëve relevantë për të përmirësuar sigurinë.

Ndërsa, Sekretarja e parë pranë Ambasadës Gjermane, Henriette Kötter, tha se shkatërrimi i armëve dhe municionit është një kontribut i mëtejshëm që Kosova të bëhet vend më i sigurt për qytetarët e saj.  Ajo tha se ky është një kontribut shtesë në integrimet evropiane dhe për sigurinë në Kosovë.

Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, theksoi se shkatërrimi i municioneve ka një ndikim shumë-dimensional, jo vetëm për institucionet e Republikës së Kosovës, që me këtë ngjarje avancojnë ngritjen e kapaciteteve të cilat i shfrytëzojnë në realizimin dhe arritjen e objektivave, në ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.

Me këtë rast, është bërë certifikimi i zyrtarëve të institucioneve të Republikës së Kosovës për shkatërrim të municionit dhe mjeteve piroteknike.

Trajnimi është mbajtur nga ekspertë të kompanisë britanike “Explosives Capabilities Limited”, kompani e njohur botërisht në këtë fushë, e angazhuar enkas nga ana e UNDP-së.

Ky donacion është mundësuar nga zyra Gjermane e Punëve të Jashtme dhe është pjesë e përkrahjes së vazhdueshme  të projektit të UNDP-së, “FERM  për Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALË).  Projekti “FERM” është vazhdimësi e projektit të UNDP-së KOSSAC i cili për 7 vite rresht dha mbështetje në këtë fushë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)