Shkalla e parë e sistemit gjyqësor zgjidh vetëm 31 % të lëndëve të korrupsionit
Prishtinë, 12 maj - Lëvizja FOL me mbështetjen e Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Lëvizja FOL publikoi sot raportin “Performanca e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit gjatë vitit 2022”, i cili adreson çështjen e performancës së këtyre dy sektorëve në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.
Albana Hasani, hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL tha se raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2022, ndërsa për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, Lëvizja FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). “Duhet të bëhet e çartë se raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por ajo shtrihet vetëm në matjen kuantitative të tyre”, tha ajo.
Gjetjet kryesore të raportit për sistemin prokurorial:
• Shkalla e parë e sistemit prokurorial të Kosovës gjatë vitit 2022 ka pasur në punë gjithsej 953 lëndë të korrupsionit, numër ky që në raport me vitin 2021 (ku në punë ishin 802 lëndë) ishte rritur për 19 %. Prej këtyre lëndëve të korrupsionit në punë, 393 lëndë (apo 41 % e lëndëve në punë) kanë qenë të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 560 lëndë (apo 59% e lëndëve në punë) kanë qenë lëndë të reja të krijuara gjatë vitit 2022.
• Nga 953 lëndët e korrupsionit në punë, shkalla e parë e sistemit prokurorial ka arritur të zgjidh vetëm 430 lëndë, apo vetëm 45 % të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë gjatë vitit 2022. Ndërsa pjesa tjetër prej 523 lëndëve, apo 55 % të tyre, kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2023.
• Këto shifra, pra, tregojnë së shkalla e parë e sistemit prokurorial ka arritur të zgjidh më pak lëndë të korrupsionit se sa në vitin 2021, ku këto institucione kishin zgjidhur 51 % të lëndëve të korrupsionit që i kanë pasur në punë.
• Prokuroria Speciale dhe shtatë prokurorit themelore gjatë vitit 2022 kanë ngritur aktakuza për 263 persona për kryerjen e veprave penale të korrupsionit. Ky numër i aktakuzave për persona kishte pësuar rënie në krahasim me vitin 2021, ku 335 persona ishin akuzuar për veprat penale të korrupsionit.
• Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit prokurorial gjatë kësaj periudhe ka rezultuar të jetë 77 %, pra dukshëm më e ulët se në vitin 2021, kur kjo normë ishte 84%.
• Norma mesatare e qarkullimit të lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit prokurorial ka rezultuar të jetë 0.82, që është gjithashtu normë dukshëm më e vogël se në vitin 2021, ku kjo normë ishte 1.04.
• Nga pasqyra e përgjithshme e statistikave të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, shihet se prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit (pra gjithmonë në aspekt kuantitativ) është PROKURORIA THEMELORE E GJILANIT.
Nga 83 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo prokurori, ka arritur të zgjidh 68 lëndë, apo 82% të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë. Me këto shifra, kjo prokurori ka arritur normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve, normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve, kohën më të shkurtër të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara.
• Ndërkaq prokuroria që ka arritur rezultatet me të dobëta në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, (pra gjithmonë bazuar në statistikat e Këshillit Prokurorial të Kosovës), është PROKURORIA THEMELORE E MITROVICËS, e cila nga 155 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë, ka arritur të zgjidh 49 lëndë, apo vetëm 32 % të të gjitha lëndëve. Me këto shifra, kjo prokurori ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve, kohën më të gjatë të nevojshme për zgjidhjen e të gjitha lëndëve që këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara.
Gjetjet kryesore të raportit në lidhje me performancën e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit nga ana e sistemit gjyqësor të Kosovës:
• Shkalla e parë e sistemit gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2022 ka pasur në punë gjithsej 268 lëndë të korrupsionit, numër ky që në raport me vitin 2021 (ku ishin 383 lëndë në punë) ishte zvogëluar për 20 %. Prej këtyre lëndëve të korrupsionit në punë, 59 % kanë qenë të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 41% kanë qenë lëndë të reja të krijuara gjatë vitit 2022.
• Nga 268 lëndët e korrupsionit në punë, shkalla e parë e sistemit gjyqësor ka arritur të zgjidh 81 lëndë, apo vetëm 31 % të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë gjatë vitit 2022. Ndërsa pjesa tjetër prej 184 lëndëve, apo 69 % të tyre, kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2023.
• Këto shifra tregojnë për ulje të nivelit të zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit nga ana e shkallës së parë të sistemit gjyqësor, në krahasim me vitin 2021, ku këto institucione kishin zgjidhur 38 % të lëndëve të korrupsionit që i kanë pasur në punë.
• Nga 82 lëndët e zgjidhura gjatë këtij viti, janë nxjerrë 41 aktgjykime fajësuese, 23 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, si dhe 14 lëndë janë zgjidhur në mënyra të tjetra.
• Gjatë kësaj periudhe, 42 persona janë dënuar më burgim, 22 persona janë dënuar me kusht, 31 persona janë dënuar me gjobë, ndërsa për 5 persona është shqiptuar dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.
• Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit gjyqësor gjatë kësaj periudhe ka rezultuar të jetë 75 %, normë kjo dukshëm më e ulët në krahasim me vitin 2021, ku gjykatat kishin arritur normë të zgjidhjes së lëndëve në 106%.
• Ndërkaq norma mesatare e qarkullimit të lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit gjyqësor gjatë kësaj periudhe ka rezultuar të jetë 0.44.
• Nga pasqyra e përgjithshme e statistikave të pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, shihet se gjykata që ka arritur rezultatet më të mira në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2022 është GJYKATA THEMELORE E PEJËS. Nga 12 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo gjykatë, ka arritur të zgjidh 6 lëndë, apo 50 % të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë. Me këto shifra, kjo gjykatë ka arritur normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve, kohën më të shkurtër të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara.
• Ndërkaq gjykata që ka arritur rezultatet me të dobëta në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit bazuar në statistikat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është GJYKATA THEMELORE E MITROVICËS, e cila nga 45 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë, ka arritur të zgjidh vetëm 6 lëndë, apo 13 % të të gjitha lëndëve. Me këto shifra, kjo prokurori ka arritur normën më të ulët të zgjidhjes së lëndëve, normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve, kohën më të gjatë të nevojshme për zgjidhjen e të gjitha lëndëve që këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara.