Shkalla e lartë e korrupsionit pengon avancimin e Kosovës
Prishtinë, 27 janar - Shkalla e lartë e korrupsionit pengon avancimin e Kosovës u tha në një konferencë për shtyp të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK) me rastin e publikimit të Indeksit të perceptimit të korrupsionit 2015 të përgatitur nga Transparency International me seli në Berlin.
Sipas Indeksit të perceptimit të korrupsionit, Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim krahasuar me dy vitet e fundit, tha Artan Canhasi nga KDI.
Kosova është notuar me 33 pikë siç ishte notuar edhe vitin e kaluar. Notimi qe bëhet në një shkallë ku 100 pikë do të thotë se perceptohet shumë i pastër kurse zero pikë do të thotë perceptohet shumë i korruptuar përgatitet sipas metodologjisë së Transparency International. Është edhe më shqetësues fakti se Kosova në këtë raport qëndron edhe me keq krahasuar me vendit e rajonit, si Shqipëria, Bosnia dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Duke shtjelluar rëndësinë që ky raport ka në botë, Visar Sutaj tha se ky indeks bazohet në opinionet e ekspertëve të korrupsionit të sektorit publik. Notimi i shteteve mund të përmirësohet nga qeverisja e hapur ku udhëheqësit i japin llogari publikut, gjersa notimi i dobët është shenjë e mitmarrjes së përhapur, mungesës së dënimeve për afera korruptive dhe institucioneve publike të cilat nuk i përgjigjen nevojave të qytetarëve.
Canhasi shtoi se mungesa e kapaciteteve të gjyqësorit, mungesa e llogaridhënies, integritetit dhe transparencës gati në të gjitha nivelet e pushtetit ekzekutiv kanë bërë që Kosova të kategorizohet në të njëjtën grup me Moldavinë dhe me keq se të gjitha shtetet e rajonit. Përparimi që është bërë në fushën e prokurimeve të përbashkëta është dëmtuar nga ndërhyrjet në pikat tjera të sistemit sikurse në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Renditja e Kosovës do të përmirësohej nëse zbatimi i ligjit përmirësohet, rritet llogaridhënia dhe integriteti i institucioneve si dhe nëse do të rritej bashkëpunimi dhe efikasiteti i institucioneve që luftojnë korrupsionin.
Në nivel botëror, Danimarka radhitet e para edhe këtë vit me 91 pikë kurse Koreja Veriore dhe Somalia e ndajnë vendin e fundit me vetëm tetë pikë secila
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), beson në një Kosovë ku qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe jeta e përditshme e qytetarëve janë të lira nga korrupsioni.