Shfuqizohet vendimi për konfiskimin e patentë-shofereve
Prishtinë, 22 janar - Ministra e Punëve të Brendshme (MPB) ka shfuqizuar vendimin për konfiskimin e patentëshofereve me rastin e kundërvajtjeve në komunikacionin rrugor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, pas konsultimeve me organet përkatëse dhe trajtimit të hollësishëm, ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit nr:108, të datës 19.05.2014, lidhur me konfiskimin e patentëshofereve, me rastin e kundërvajtës në komunikacionin rrugor, është thënë në njoftimin e MPB-së.
Sipas këtij, njoftimi Ministria e Punëve të Brendshme do të angazhohet aktivisht dhe sistematikisht gjatë rishqyrtimit të Ligjit për komunikacionin rrugor dhe do të propozojë masa dhe norma që parandalojnë aksidentet dhe kundërvajtjet në komunikacion rrugor.
Po ashtu, bëhet me dije se MPB-ja do të propozojë masa ligjore që do të obligojnë kundërvajtësit në komunikacion rrugor që obligimet e tyre ti kryejnë në afat optimal.