23 Dhjetor 2024

Shënohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Prishtinë, 20 tetor –  Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, sot në Prishtinë u mbajt një ceremoni, për të nderuar viktimat me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat e tyre.

Me këtë rast kryeprokurori i shtetit Ismet Kabashi, kërkoi angazhim gjithëpërfshirës të autoriteteve dhe mekanizmave, si dhe kërkoi përkrahjen e qytetarëve që t’iu dalin në mbrojtje viktimave, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Kryeprokurori i ShtetitKabashi theksoi se gjatë punës shumëvjeçare si prokuror ka  qenë dëshmitar i dhimbjes, tronditjes dhe pasojave të viktimave, të cilat shpeshherë kanë qenë shkatërrimtare.

\"Tani si Kryeprokuror i Shtetit Ju siguroj se të gjithë prokurorët do të ushtrojnë autoritetin e tyre për të respektuar të drejtat e viktimave, për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe për tu kujdesur për realizimin e të drejtave të tyre duke përfshirë edhe të drejtën e kompensimit nga dobia pasurore e fituar me anë të krimit”.

Edhe ushtruesi i Detyrës së Presidentit të vendit Jakup Krasniqi, tha se shënimi i kësaj jave për të drejtat e viktimave të krimit dëshmon përkushtimin e institucioneve të  Kosovës për të drejtat e viktimave të krimit.

“Duke ia dedikuar këtë javë të drejtave të viktimave të krimit, po dëshmoni nderimin për viktimat, po aq dëshmoni respektin për të drejtat e tyre dhe ky respekt, më e pakta, është një përpjekje korrigjimi e qortimi për të gjallët. Një korrigjim e qortim që doemos do të shndërrohet në përvojë e mësim”, shtoi ushtruesi i Detyrës së Presidentit të vendit Jakup Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë, Sylejman Sopa, njoftoi se në Kosovë janë të indetifikuara rreth 5 mijë e 500 viktima të krimit, nga vitit 2002. Këto viktima tashmë janë të strehuara dhe janë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë dhunën në familje, trafikim me qenie njerëzore, keqtrajtim seksual të fëmijëve dhe keqtrajtim të fëmijëve në raste të tjera, etj.

Gjatë kësaj ceremonie ishte e pranishme dhe e rrëfeu historinë e saj edhe një viktimë, vendëse, e dhunës në familje, e cila ka arritur t’i tejkaloj padrejtësitë dhe shkeljet që i janë bërë, ka arritur t’i tejkaloj dhimbjet dhe vuajtjet dhe sot jeton jetën me shpresë për një të ardhme të suksesshme të saj.

Për nderë të viktimave të krimit nga Karolina e Veriut ka udhëtuar dhe sot ishte i pranishëm në ceremoni edhe z. George Holding, kryeprokuror për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut. Ndërkaq, mysafire speciale ishte znj. Suzanna Tiapula, Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare për përndjekjen e krimeve të abuzimit me fëmijë. Znj. Tiapula koordinon dhe menaxhon aktivitetet dhe veprimet e qendrës dhe stafit, menaxhon ofrimin e trajnimit vjetor për afro 15,000 profesionistë për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet dhe ofrimin e ndihmës teknike për shumë të tjerë.

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, do të shënohet edhe në qytete të tjera të Kosovës dhe  po mbahet nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)