Shënohet dy vjetori i themelimit të Odes së Noterëve të Kosovës
Prishtinë, 14 prill Nën organizim të Odes së Notereve të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë, sot u shënua dy vjetori i themelimit të Odes së Noterëve, me çrast ka marrë pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Arbena Shehu, Kryetare e Odes së Noterëve të Republikës së Kosovës, tha se kjo ceremoni e dy vjetorit të themelimit të Odës së Noterëve na kujton kohë kur filluam punën si ekip profesionistësh, të cilët sot ndihmojnë dhe shërbejnë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Duke ushtruar detyrën tonë me qëllim dhe vizion të përcaktuar qartë për konsolidimin e drejtësisë në vend, por edhe përmirësimin e respektimin e të drejtave të qytetarëve, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të shpejta, cilësore dhe efektive, noterët nga dita e parë e detyrës së tyre kanë luajtur edhe rolin e mësuesit të noterisë, me çrast kemi vetëdijesuar dhe ngritur vetëdijen e çdo qytetari, biznesi dhe çdo institucioni të Republikës së Kosovës që i është qasur zyrave tona, ka thënë Shehu.
Duke folur për anëtarësimin e kësaj ode në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë, Shehu tha se ky anëtarësim është një hap i rëndësishëm për sistemin e noterisë në vend.
Në përvjetorin e dytë të saj, në shenjë falënderimi për kontributin e tij në themelimin e sistemit noterial të Kosovës, Oda e Noterëve të Kosovës e shpalli anëtar nderi dhe ndau mirënjohje për Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Pasi pranoi mirënjohjen, Ministri Kuçi tha se mirënjohja më e madhe për të është puna e mirë që e kanë bërë noteret në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kuçi tha se anëtarësimi i Odes së Noterëve të Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë me të drejta të plota është sukses i sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Me tej Kuçi tha se nga noterët pret punë të nivelit të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë dhe shtoi se Kosova ka ndërtuar arkitekturën e drejtësisë duke përmendur ndërtimin e infrastrukturës ligjore me standarde ndërkombëtare dhe infrastrukturën për punë të këtij sistemi, ndërsa tha se me noteri, ndërmjetësim dhe arbitrazh është plotësuar arkitektura e drejtësisë në mënyrë që të rritet efikasiteti dhe besimi i qytetarëve në këtë sistem.
Sistemi noterial në Republikën e Kosovës është themeluar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa është mbështetur nga Qeveria zvicerane përmes implementimit të Institutit Ndërkombëtar të Noterisë.