Shënohet Dita Ndërkombëtare “Zero Diskriminim”
Prishtinë, 1 mars - Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare “Zero Diskriminim” organizon tryezën “Barazi për të gjithë”.
Qëllimi i tryezës është diskutimi për gjendjen e të drejtave të njeriut, trajtimin e barabartë dhe pa diskriminim, me fokus në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Dita Ndërkombëtare “Zero Diskriminim” shënohet botërisht dhe ka për qëllim të theksojë rëndësinë e të jetuarit me dinjitet, pavarësisht dallimeve në moshë, gjini, etni, racë etj., me thirrje për të promovuar diversitetin, tolerancën, solidaritetin dhe gjithpërfshirjen.
Në po këtë ditë, Avokati i Popullit do të hapë fushatën e Institucionit të Avokatit të Popullit “Barazi për të gjithë”, e cila do te mbahet në 11 komuna të vendit.