Shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt
Në vitin 2015, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli, 19 qershorin e çdo viti, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për nevojën e eliminimit të dhunës seksuale në konflikt, për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale anembanë botës, si dhe për të i kujtuar të gjithë ata që e kanë përkushtuar dhe humbur jetën duke luftuar për eliminimin e këtyre krimeve.
'Prokurorët' është dokumentar që tregon historinë e tre juristëve të përkushtuar në tre kontinente të ndryshme të cilët luftojnë për të siguruar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. Filmi u konceptua nga besimi se drejtësia është për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë përjetuar krime të paimagjinueshme gjatë konfliktit- qoftë dje apo njëzet vite më parë. Ky dokumentar mbështetë fushatën për t'i dhënë fund mosndëshkimit të autorëve të dhunës seksuale në konflikt, si abuzim i të drejtave të njeriut që për shekuj me radhë ka prekur njerëzit, pavarësisht gjinisë. Pas shfaqjes se dokumentarit, regjisorja Leslie Thomas, fituese e çmimit Emmy, diskutoi me publikun rreth filmit.
Para shfaqjes së dokumentarit, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë në Kosovë iu drejtuan audiencës duke shprehur angazhimin dhe mbështetjen për qasje në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë. "Të mbijetuarit e dhunës seksuale janë ndër njerëzit më të guximshëm që unë kam takuar dhe ata meritojnë drejtësi", tha Philip S. Kosnett, ambasador i Shteteve të Bashkuara. Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjithashtu iu drejtua audiencës duke theksuar se "të mbijetuarit janë ende duke u përballur me stigmën dhe po jetojnë me frikën se e kaluara do të përsëritet. Është detyra jonë të garantojmë se ata jetojnë një jetë të dinjitetshme dhe kanë qasje në drejtësi."
Ruairí O'Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, i kujtoi audiencës se "Paqja ka dy shtylla: të vërtetën dhe drejtësinë. Vetëm duke folur hapur dhe duke mbështetur të mbijetuarit, do të kemi hapësirë për të dëgjuar të vërtetën". Duke kujtuar temën e ditës dhe filmit, Christian Heldt, ambasadori i Gjermanisë nënvizoi se "Drejtësia ka të bëjë me respektin. Ne të gjithë i detyrohemi respekt atyre që vuajtën nga ky instrument i tmerrshëm i luftës që disa e zgjodhën për shkak të kulturës së mosndëshkimit".
Vlora Nushi, drejtoreshë e zyrës së UN Women, u kujtoi audiencës që në mënyrë që të kemi drejtësi dhe t'i japim fund stigmatizimit dhe heshtjes rreth kësaj çështje, duhet të punojmë së bashku: "Aktorët kyç që punojnë drejt këtij qëllimi, sikur Prokuroria Speciale, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimi e Statusit të mbijetuarve të dhunës seksuale, si dhe OJQ-të e ndryshme, kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga të gjithë ne, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten dhe të sigurohet drejtësia."