Shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve
Prishtinë, 30 gusht - Nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot u shënua Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve.
Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri theksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për ndriçimin e fatit të te pagjeturve, dhe shtoi:
Është më rëndësi të thuhet që institucionet e Republikës së Kosovës, në radhë të parë Qeveria e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi është angazhuar dhe po angazhohet për fatin e të pagjeturve në shumë plane, në planin ndërkombëtar, duke kërkuar nga të gjitha institucionet relevante të bëjnë punën e tyre, për të gjetur dhe ndriçuar fatin e tyre dhe zgjidhur këtë problem përfundimtar.
Drejtësia nuk është vetëm drejtësi politike, e cila duhet të vie me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, jo vetëm si përgjigje për gjenocidin e bërë ndaj popullit tonë. Por, është edhe si një realitet i krijuar në Ballkan, një drejtësi të cilën të gjithë popujt që krijuan shtete në këto hapësira, e vlerësuan si e drejtë për vetëvendosje, fundja është një prej parimeve themeltare të demokracisë, që të vendosësh vet për fatin tënd tha zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri
Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se adresa e këtij problemi, por edhe zgjidhja, është te Serbia.
Është e çuditshme si është ndërgjegjja njerëzore dhe ndërgjegjja institucionale e shteteve të ndryshme në botë, përfshirë edhe Serbinë në Ballkan. Përderisa duhet një pendesë për gjenocidin do të thosha, kësaj pendese i shtohet një kontribut duke u angazhuar që të hapen arkivat, të gjenden të dhënat për këtë problem të madh tha znj. Tahiri.
Në fjalën e saj zëvendëskryeministrja Tahiri, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me familjarët e të pagjeturve, me shoqatat përkatëse që merren me çështjen e të pagjeturve, po ashtu vlerësoj edhe punën e komisionit shtetëror, i cili po punon vazhdimisht jo vetëm për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.
Ka pasur rezultate konkrete në këtë drejtim sepse numri ka qenë shumë më i madh, edhe pse për neve rezultati përfundimtar është ai kur të zgjidhet plotësisht ky problem theksoi zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukurve.