Shënohet dita e themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Prishtinë, 27 nëntor - Me një ceremoni festive në kampin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Adem Jashari, sot u shënua dita e themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjga, tha se është nder të jetë e pranishme në shënimin e ditës së Forcës së Kosovës në një ditë, siç u shpreh Jahjaga të jashtëzakonshme për ta.
Këtë vit sipas saj festimi i të arriturave të FSK-së ka marrë një dimension të ri dhe një trajtë konkrete të suksesit të zyrtarizuar me vendimin e NATO-s për të deklaruar arritjet e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së.
\"Në integrimin tonë euroatlantik, padyshim, FSK-ja do të jetë mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të emergjencave dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë, me të cilët ndajmë vlerat për një botë të lirë dhe në paqe\", ka thënë Jahjaga.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës ka thënës së Forca e Sigurisë së Kosovës, në koordinim të plotë dhe asistencë në çdo fushë nga aktorët ndërkombëtarë me theks të veçantë me NATO-n dhe KFOR-in ka arritur të transformohet në një organizatë serioze, të respektuar, profesionale dhe shumetnike.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me partnerë strategjik dhe miq të Kosovës, që nga fillimi i vitit të kaluar ka filluar të bëjë Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë.
Synim i këtij rishikimi është ristrukturimi i strukturës së sigurisë dhe dhënia e kompetencave çdo organizate të sigurisë karshi synimeve tona strategjike për të ardhmen.
Në këtë proces, FSK sipas Thaçit e ka rolin e saj primar dhe me përgjegjësi të plotë mundë të ju them se kjo Forcë në të ardhmen do të marr rolin e saj të merituar në shërbimit të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës.
\"Për më tepër, ne synojmë që kjo forcë sa më shpejt të filloj edhe formalisht përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe në kuadër të bashkëpunimit zyrtar me NATO-n\", ka theksuar ai.